Prezantimi i anëtarësimit të KN CIGRE KO në organizatat ndërkombëtare CIGRE Paris dhe SEERC
Me qëllim të prezantimit para mediave dhe publikut kosovar të sukseseve të KN CIGRE KO, me datë 26.10.2017 në hapësirat e Hotel SIRIUS në Prishtinë është mbajtur “Prezantimi lidhur me anëtarësimin e Komitetit Nacional CIGRE Kosova në organizatat ndërkombëtare CIGRE Paris dhe SEERC”.
Fjalën hyrëse të takimit e bëri kryetari i KN CIGRE KO prof. Dr. Mehmed BULA, i cili fillimisht i përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe njëkohësisht shprehu kënaqësinë që angazhimi 5 vjeçar, që prej themelimit të Shoqatës Elektroteknike të Kosovës(SHETK), më në fund u kurorëzua me pranimin e Komitetit Nacional CIGRE Kosova si anëtar i 59-të i Organizatës Ndërkombëtare CIGRE, me seli në Paris.
Lidhur me procesin e anëtarësimit, procedurat e ndjekura prej aplikimit e deri te marrja e konfirmimit për anëtarësim si anëtarë i ri i Organizatës Ndërkombëtare CIGRE, prezantimin e bëri zonja Pranvera Dobruna Kryeziu.
Gjithashtu, zonja Dobruna Kryeziu njoftoji se gjatë pjesëmarrjes në takimin e 5-të të Anëtarëve të Bordit të organizatës SEERC(dt. 18 -19 Tetor 2017) në Stamboll të Turqisë, KN CIGRE KO është pranuar edhe si anëtarë i 15-të i CIGRE-së Rajonale për Evropën Juglindore – SEERC (angl. South East European Region of CIGRE).
Sipas zonjës Dobruna Kryeziu, tashmë pas anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, KN CIGRE KO e presin obligime në javët dhe muajt vijues, duke filluar me themelimin e organeve sipas statutit të KN CIGRE KO, formimin e Komiteteve Studiuese(KS) dhe Grupeve Punuese(GP), si dhe kryerjen e obligimeve tjera sipas kërkesave qe mund te dalin nga Sekretariati i CIGRE Paris dhe nga SEERC. Pjesëmarrja aktive e përfaqësuesve dhe anëtarëve të KN CIGRE KO në takime dhe ngjarje që organizohen nga organizatat e CIGRE-ve rajonale dhe më gjerë duhet të jetë prioritet për avancimin dhe plotësimin e njohurive në lëmin e elektroenergjetikës.