Çka është CIGRE?
CIGRE (Conseil International des Grands Réseaux Électriques) – Këshilli Ndërkombëtar për Rrjetet e Mëdha Elektrike është njëra prej organizatave kryesore ndërkombëtare e cila merret me aspekte teknike, ekonomike, organizative dhe rregullatorëve të Sistemeve Elektroenergjetike(SEE).
Është organizatë jo qeveritare dhe jo profitabile me seli kryesore në Paris, e formuar në vitin 1921 me qëllim të forcimit dhe zhvillimit në këmbimin e përvojave dhe informatave, midis ekspertëve të fushës elektrike të të gjitha vendeve për çështjen e prodhimit, transmisionit dhe shpërndarjes së energjisë elektrike.
Çështjet që kanë të bëjnë me planifikimin dhe funksionimin e sistemeve elektroenergjetike, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të tensionit të lartë si dhe kapacitetet prodhuese të energjisë elektrike janë thelbi i interesit të CIGRE-së. Përveç kësaj, CIGRE merret edhe me problemet e mbrojtjes të sistemeve elektroenergjetike, pajisjeve të telekomunikacionit dhe sistemeve të informacionit.
CIGRE zhvillon njohuritë teknike në dy mënyra:
• përmes Konferencave(Këshillimeve) dhe Takimeve, ku paraqiten dhe diskutohen vepra dhe punime shkencore, si dhe
• përmes Komiteteve Studiuese që punojnë në zgjidhjen e problemeve teknike dhe përpilimin e raporteve.
Aktualisht janë aktive 16 Komitete Studiuese, ku secila prej tyre ka të bëjë më një fushë specifike të inxhinierisë elektrike dhe ku puna e tyre realizohet përmes punës të Grupeve Punuese e që janë të përfshirë mbi 3500 ekspertë të kësaj fushe.
Ngjarja më e rëndësishme e CIGRE është organizimi i Sesionit i cili mbahet në Paris çdo dy vjet. Aty mblidhen mbi 2500 pjesëmarrës nga të gjitha vendet e botës dhe ku paraqiten rreth 400 punime shkencore të cilat mbulojnë të gjitha fushat e interesit.
Për më shumë: http://www.cigre.org