Komiteti Nacional CIGRE Kosovë
KN CIGRE KO

SIMPOZIUMI I PARË VJETOR I TRANZICIONIT TË ENERGJISË

Simpoziumi i Tranzicionit të Energjisë do të jetë një ngjarje vjetore e organizuar nga Komiteti Nacional CIGRE Kosovë, projektuar për të adresuar sfidat e QËNDRUESHMËRISË SË TRANZICIONIT TË ENERGJISË ELEKTRIKE.

 

Hyrje

Sistemi elektroenergjetik i Kosovës është i ndërtuar rreth një themeli të ngarkesës bazë të energjisë, ku prodhimi kryesor është i bazuar kryesisht nga thëngjilli. Tani, ky themel po ndryshon në shumë mënyra. Tranzicioni i energjisë, si një proces afatgjatë, përfshin zëvendësimin në tërësi të prodhimit ekzistues të energjisë elektrike me bazë thëngjillin në Kosovë. Transicioni, nuk ka të bëjë vetëm me prodhimin e energjisë së pastër dhe të ripërtritëshme; por ka të bëjë edhe me ndryshimin e mënyrës sesi ne gjenerojmë, furnizojmë dhe konsumojmë energjinë elektrike. Ky proces nuk mund të trajtohet vetëm si sakrifikim i burimit tonë natyror më të besueshëm, përmes procesit të largimit të qymyrit nga përdorimi, por edhe si një periudhë e cila do të kërkojë investime të konsiderueshme në infrastrukturën e industrisë së energjisë.

 

Pikat kryesore të simpoziumit

Tema e simpoziumit e këtij viti do të mbulojë qëndrueshmërinë e sistemit energjetik të Kosovës. Në këtë simpozium, ekspertë të ndryshëm nga industria e energjise dhe universitetet do të takohen për të diskutuar mbi tranzicionin e energjisë, veçanërisht në lidhje me zbatimin e masave të nevojshme për përshpejtimin e tranzicionit të energjisë. Duke pasur në fokus që tranzicionin energjetik me e pa përmes thjerrëzave të sigurisë energjetike.

Të gjithë anëtarët e industrisë së energjisë do të përgatisin nga një prezantim mbi “Qëndrueshmerinë e Tranzicionit të Energjisë” që mbulon shqetësimet kryesore të sfidave të tyre të funksionimit dhe planet se si të ndërtojnë një sektor të qëndrueshëm të energjisë. Operatorët e transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë do t’i paraqesin planet e tyre për integrimin e burimeve të ripërtritshme intermitente, siç janë: dielli dhe era.

 

Për më tepër, prodhuesi i energjisë KEK do të prezantojë iniciativën e fundit per zhvillimin e  burimeve të ripërtritëshme në lokacionet e minierave, ku energjia e ripërtritëshme shihet si një çasje e re e gjeneruesve konvencionalë për të filluar tranzicionin e tyre.

Derisa, ka përfitime të njohura nga ndërveprime më të mira ndërmjet OST dhe OSSH, gjithashtu ka edhe dobësi në rritje, që rezultuan në sulme kibernetike mbi sistemet e kontrollit të industrisë së energjisë. Ndikimi i sulmeve të tilla në funksionimin e aseteve kryesore energjetike është bërë alarmante për operatorët dhe drejtuesit e energjisë në mbarë botën. Ne dëshirojmë të dëgjojmë diçka edhe për këtë çështje, në veçanti, për masat që po merren nga operatorët e sistemit për të parandaluar ose zbutur efektet e një sulmi të mundshëm në infrastrukturën bazë.

KN CIGRE Kosovë përmes kësaj iniciative ofron një platformë për anëtarët e saj kolektiv dhe nga institucionet akademike, për të kualifikuar boshllëqet e aftësive dhe boshllëqet e njohurive në industrinë e energjisë, duke theksuar nevojën e përbashkët për kërkime akademike dhe zbatim industrial. FIEK dhe UBT do të marrin pjesë në diskutimet nëse kurrikula po ecën në hap me avancimet aktuale teknologjike në industri dhe tregun e energjisë elektrike.

 

Ndërtimi i qëndrueshmërisë së infrastrukturës kritike kërkon 

  • ndërveprime më të mira ndërmjet OST, OSSH dhe organeve të tjera institucionale;
  • investime në linja të reja të interkoneksionit dhe investime në rezerva dytësore dhe terciare për të mundësuar siguri më të lartë;
  • integrim të tregut me Shqipërinë për të rritur fleksibilitetin e sistemeve elektroenergjetike
  • siguria kibernetike dhe qëndrueshmeria e infrastrukturës së energjisë

 

Gjatë simpoziumit të parë vjetor do të diskutohet për vetë konceptin e qëndrueshmërisë së sistemit dhe për rekomandimet që do të bëhen pas vlerësimeve të sistemeve tona të infrastrukturës kritike nga anëtarët tanë kolektiv. Kjo  temë është e një rëndësie të posaçme, meqë në vitet e fundit po merr vëmendje të konsiderueshme nga SEERC dhe CIGRE globale.

Për të lehtësuar një diskutim më të favorshëm, anëtarët do të inkurajohen të shikojnë qëndrueshmërin përmes faktorëve përcaktues, e që janë: Përballimi, Qëndrueshmëria, Rikuperimi dhe Përshtatshmëria e infrastrukturës sonë kritike të rrjetit.